Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

2 Prill 2015

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

Ashtu si edhe viteve të tjera, edhe këtë vit, Shoqata “AUTIZMI”, brenda mundësive të saja modeste, do të angazhohet për sensibilizimin e qytetarëve tanë, në lidhje me autizmin, me disa aktivitete:


Me 2 Prill

- Në orën 11–12 defilimi i fëmijëve, nga shkollat (klasat që kanë shokë me autizëm), nëpër qendër të qytetit të Prishtinës, të veshur me bluza dhe balona, me ngjyrë të kaltër.

- Në orën 12-13 në Teatrin Kombëtar, përveç disa pikave muzikore, nga fëmijët dhe shokët e tyre, do të prezantohet edhe një përmbledhje e të arriturave si dhe sfidave që e presin, si dhe nevojave të komunitetit me autizëm. Të ftuar janë, përfaqësues nga Ministritë përkatëse, si dhe ambasadat të cilat kanë kontribuar në Shoqatë deri më tani, organizatat bashkëpunuese nga Kosova dhe jashtë sajë.

- Në ora 20-24, në hotel EMERALD do të mbahet mbrëmje bamirësie, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga Qeveria dhe Komuna e Prishtinës, përkatësisht përfaqësues nga Ministritë përkatëse, si dhe nga Drejtoritë komunale, përfaqësues nga ambasadat që kanë mbështetur Shoqatën tonë, si dhe përfaqësues të artit dhe biznesit në Kosovë. Përveç programit të paraparë artistik, do të ketë edhe ankand të pikturave, veshjeve si dhe bizhuterive. Pasi që kjo mbrëmje i dedikohet krijimit të Qendrës-objektit për fëmijë dhe të rritur me autizëm (e cila parashikohet të ndërtohet në bashkëpunim me Shoqatën Sindom Down Kosova), në lokacionin e premtuar nga Komuna e Prishtinës, kompanitë e ndërtimit, prodhuesit dhe tregtarët që merren me shitjen e materialeve ndërtimore do të jenë në fokus të kontribuuesve potencial.

Prandaj, nga mediat e shkruara dhe elektronike ne kërkojmë, mbështetje, për sensibilizimin e opinionit të Kosovës, për autizmin. Kemi kërkuar nga shtëpitë televizive dhënien e hapësirës mediale për prezantimin e sfidave dhe nevojave për këta fëmijë dhe familjet e tyre. Kemi marrë premtime se gjatë muajit prill do të rezervohet hapësirë- termin special edhe për dokumentar për autizëm, si dhe për filma artistik të cilët kanë për temë autizmin.

Në javën e parë të muajit prillit, në sheshin e qytetit do të vendosim tavolinën (tendën), ku do të qëndrojnë psikologet e Qendrës sonë, për të informuar sa më detalisht qytetarët e interesuar, ndërsa tri javët në vijim do të vizitohen çerdhet dhe shkollat fillore nga psikologet tona, me qëllim që të njoftohen fëmijët, me sjelljet e çuditshme të shokëve të tyre me autizëm.
Gjithashtu, ju njoftojmë se me 2 Prill do te hapet Qendra për fëmijë me autizëm ne Lipjan, dhe shpresojmë se gjatë muajit prill do të hapen edhe në Ferizaj dhe Mitrovicë.

Gjithashtu, në muajin Prill do të organizohet trajnimi profesional për terapistë dhe prindër, udhëhequr nga Oganizata Beyond Autism, me seli në Londër, me të cilën Shoqata jonë ka filluar të bashkëpunojë.
Po mendojmë të angazhohemi në ndriçimin e objekteve karakteristike, me ngjyrë të kaltër dhe këtë ide e kemi marrë me seriozitet, për faktin se ishte ide e vitit të kaluar, që nuk arritëm ta realizojmë, për mungesë fondesh.
Përkundër dëshirës së madhe, ne jemi të vetëdijshëm se vetëm nuk mund t’ia dalim, prandaj mbesim të hapur si dhe mirëpresim idetë dhe kontributin e të gjithë atyre që mund të ndihmojnë në afirmimin e pozitë së fëmijëve me autizëm dhe familjeve të tyre .

Me nderime,
Cenë Krasniqi
Kryetar i shoqatës Autizmi

Print
Categories: Ngjarje
Tags:
Rate this article:
No rating

Dhuro - Donate
OJQ “AUTIZMI”
ProCredit Bank 1181 0017 5000 0110 
(SWIFT: MBKOXKPRXXX)
Rr. Antigona Fazliu Nr. 30, Prishtinë, Kosovë
info@autizmi-ks.org +38344151102 +38345442343